Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka pranuar një telegram urimi nga Manfred Weber, Kryetar i Grupit PPE në Parlamentin Evropian dhe Andrey Kovatchev, Zëvendëskryetar i Grupit PPE në Parlamentin Evropian përgjegjës për Zgjerimin, Ballkanin Perëndimor, Fqinjësinë Jugore, dhe Euromed, të cilët e kanë uruar për marrjen e detyrës së re në krye të ekzekutivit.

“Duam t’ju shprehim urimet tona të përzemërta për zgjedhjen tuaj Kryeministër i ri i Republikës së Kosovës! Jemi të bindur që ky sukses do të avancojë më tej arritjet politike të partisë partnere dhe miqve tanë të afërt nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Qeverisë së re do t’i duhet të përballet me pasojat jo të lehta të pandemisë së koronavirusit, duke shfrytëzuar njëkohësisht një momentum të ripërtërirë për zbatimin e reformave kyçe në interes të qytetarëve të Kosovës dhe gjetjen e një zgjidhje të përhershme dhe reciprokisht të pranueshme me Serbinë. Mezi presim të punojmë me ju dhe institucionet e Kosovës në rrugën tuaj drejt integrimit evropian. Ju urojmë gjitha të mirat gjatë mandatit tuaj dhe shpresojmë të vazhdojmë bashkëpunimin e frytshëm”, thuhet në telegram./21Media