Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka pranuar telegram urimi nga kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel, i cili e ka uruar për marrjen e detyrës së re në krye të Qeverisë, teksa ka shtuar se mezi pret rifillimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Luksemburgu vazhdon të mbështesë perspektivën evropiane të Kosovës dhe në këtë drejtim, mezi pres të shoh rifillimin e shpejtë të dialogut Prishtinë – Beograd të lehtësuar nga BE-ja për të ndihmuar arritjen e një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve”, thuhet ndër të tjera në letër.

Gjithashtu në këtë telegram urimit thuhet se Luksemburgu, dëshiron t’i forcojë edhe më tej raportet me Kosovën.

“Më lejoni që në emër të Dukatit të Madh të Luksemburgut, si dhe në emrin tim personal t’ju përgëzoj përzemërsisht për emërimin tuaj kryeministër i Republikës së Kosovës. Luksemburgu është një partner dhe mik i përhershëm i Kosovës dhe shpresoj që së bashku të forcojmë më tej lidhjet midis vendeve dhe popujve tanë dhe të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të frytshëm dypalësh”, thuhet në letër.

Bettel në këtë letër ka shtuar se shpreson “një vazhdim të përpjekjeve për reforma në sektorin e drejtësisë dhe veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pasi që sundimi i ligjit është një hap thelbësor për Kosovën në rrugën e saj evropiane”. /21Media