Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka vizituar sot fshatin Koretin, në komunën e Kamenicës, për të parë nga afër dëmet të cilat i kanë shkaktuar reshjet e ditëve të fundit.

Kryeministri në detyrë Hoti tha se, është mirë që nuk ka asnjë viktimë si pasojë e vërshimeve dhe kjo tregon ngritjen e kapaciteteve të institucioneve që të reagojnë në raste të tilla.

“Janë tri lloj dëme që janë bërë, në shtëpi banimi, në vendbanime, gjithandej nëpër komuna, dëmet në infrastrukturë që në disa raste kanë pamundësuar edhe qasje nëpër shtëpi dhe dëmet në tokat bujqësore”, tha kryeministri Hoti.

Ai nënvizoi se me krijimin e Fondit Emergjent, përmes rezervës shtetërore, nga nesër Qeveria në detyrë, do të jetë e gatshme të pranojë vlerësimet e dëmeve nga komunat dhe në përputhje me mundësitë buxhetore të kompensojnë një pjesë të dëmeve për pjesën e parë, pra për shtëpi të banimeve.

Gjatë vizitës në fshatin Koretin, kryeministri Hoti ishte i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati./21Media