Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se java e parë e Qeverisë që ai drejton ishte një sinjal i qartë i përkushtimit, punës dhe partneritetit. Në një shkrim në Facebook, shefi i Qeverisë u shpreh se në javën e parë u bënë të ditura projekti për rimëkëmbje ekonomike, si dhe për luftimin e COVID-19, ashtu edhe platforma për dialogun me Serbinë.

“E kemi bërë bërë publik projektin tonë për rimëkëmbje ekonomike, si dhe për luftimin e COVID-19. Po ashtu, e kemi bërë publik para opinionit, partnerëve të koalicionit dhe atyre ndërkombëtarë platformën tonë për dialogun me Serbinë. I përkushtuar për konsensus politik, ftova miqësisht dhe institucionalisht opozitën. I falenderoj partnerët e koalicionit për përkushtimin në këtë proces dhe vullnetin e tyre për bashkërendim. Në anën tjetër, pres nga opozita mirëkuptim dhe gatishmëri për të diskutuar e bashkërenduar veprimet e qendrimet e shtetit të Kosovës lidhur me dialogun në të ardhmën.”, ka shkruar mes tjerash Hoti.

Sipas tij, përkushtimi i Qeverisë “është për të promovuar subjektivitetin e vendit dhe për të ruajtuar integritetin e tij janë synime të përbashkëta që ndajmë edhe me miqtë tanë ndërkombëtarë”. Ai po ashtu përmendi edhe takimet me ambasadorët e Quintit dhe bisedat telefonike me akterë të rëndësishëm ndërkombëtarë, e që sipas tij i kanë shërbyer rregullimit të raporteve “të dëmtuara” me partnerët ndërkombëtarë.

“Takimet me ambasadorët e Quintit si dhe bisedat telefonike konstruktive e të hapura me administratën Trump në Washington, me Brukselin, Berlinin e Parisin, ishin hapi i parë, por shumë i rëndësishëm, për të kthyer në normalitet mardhëniet tona të dëmtuara jo pak në të shkuarën e afërt.”, ka shkruar ai.

I pari i Qeverisë u zotua se do të punojnë shumë për rimëkëmbje ekonomike.

“Në ditët në vazhdim të gjithë do të shohim një energji të re të Qeverisë për të ndalur rënien ekonomike dhe për ta nxjerr atë në bregun e normalitetit dhe përparimit, një përkushtim për të promovur dhe monitoruar masat anti-COVID, të cilat janë jetike për mbrojtjen e shëndetit publik dhe ekonomisë, si dhe një vullnet për të ulur heshtat e luftës së pakuptimtë politike, e cila çdo ditë e më shumë po kthehet qëllim në vetvete e jo në mbrojte të interesit qytetar. Qëllimi ynë është kthimi i NORMALITETIT dhe ZHVILLIMI. E për këtë na duhet shumë punë e përkushtim.”, ka shkruar më tej ai./21Media