Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se pret që Serbia të kërkojë falje për krimet dhe gjenocidin e kryer në Kosovë

“Bota e di çfarë ka ndodhur këtu; e di mirë kush ka qenë agresori, e kush viktima! Me gjithë pengesat e mëdha, dëshmitë e këtyre krimeve të kryera në zemër të Evropës, vazhdojnë të dalin në dritë! Prandaj, pohojmë fuqishëm se provat e çmendisë serbe në Kosovë nuk mund të zhbëhen, sepse ato janë parë dhe janë evidentuar nga mbarë komuniteti ndërkombëtar”, ka shkruar Hoti në llogarinë e tij “Facebook”.

Ai tutje tha se Kosova është e përkushtuar për të ardhmen paqësore të rajonit dhe integrimin në familjen e kombeve të lira demokratike euro perëndimore. Duke thënë se po pret kërkim falje nga Serbia.

“Por, po ashtu, ne presim nga fqinji ynë verior, Serbia, të kërkojë falje për krimet dhe gjenocidin e kryer, të kërkojë falje për djegien e kufomave të civilëve shqiptarë, për varrosjen dhe zhvarrosjen e disahershme të tyre. Përveçse një akt moral, kërkim falja është edhe kusht elementar human për të ecur përpara kah pajtimi dhe mirëkuptimi në mes dy shteteve tona”, ka shkruar ai./21Media