Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, sot priti në takim lamtumirës shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian/Përfaqësuesen e Posaçme të BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolovën, të cilën e falënderoi për bashkëpunimin dhe angazhimin e saj gjatë mandatit në Kosovë.

Hoti vlerësoi rolin BE- për funksionimin e shtetit ligjor dhe demokratik në Kosovë, si një standard në procesin e afrimit të Kosovës drejt BE-së. Gjithashtu kryeministri Hoti e vlerësoi përkrahjen e BE-së dhënë përpjekjeve të institucioneve të Republikës së Kosovës për menaxhimin e pandemisë Covid 19 dhe për Pakon e rimëkëmbjes ekonomike.

 Ndërsa, përfaqësuesja e Posaçme e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, pasi e falënderoi kryeministrin Hoti për pritjen dhe bashkëpunimin, vlerësoi se Bashkimi Evropian do ta ketë prioritet Ballkanin Perëndimor dhe do të vazhdojë të punojë për të ardhmen evropiane të rajonit. /21Media