Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka pritur sot një delegacion të Institutit “Robert Koch” – misioni i përbashkët i ekspertëve mjekësorë nga Gjermania, “Joint Robert Koch Institute / EMT / GOARN mission to Kosovo”, bashkë me ambasadorin gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, koordinatoren e OKB-së për Zhvillim, Ulrika Richardson dhe përfaqësuesin e Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, dr. Sergei Koryak, me të cilët ka biseduar për situatën epidemiologjike me pandeminë COVID-19.

Në këtë takim u diskutua për një sërë temash, si: trajnimi i stafit mjekësor në disa spitale për trajtim emergjent të pacientëve, vlerësimi i punës së profesionistëve shëndetësorë në trajtimin dhe menaxhimin e pacientëve, këshillëdhënien në fushën e komunikimit me publikun në pandemi, si dhe në mbështetjen me ekspertizë profesionale të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHP),- validimi i testeve molekulare, krejt këto në funksion të përballjes me situatën e krijuar nga pandemia COVID-19.

Po ashtu, u diskutua edhe për raportin përmbledhës që ekspertët shëndetësorë pritet ta dorëzojnë në Ministrinë e Shëndetësisë, në të cilin do të përshkruhen të gjeturat dhe do të listohen rekomandimet.

Me këtë rast, kryeministri Hoti potencoi masat që ka ndërmarrë Qeveria në luftën kundër pandemisë COVID-19, bashkë me planin për rimëkëmbje ekonomike, i cili është në harmoni me situatën e krijuar, nevojat e qytetarëve dhe biznesit në vend.

“Angazhimi dhe mbështetja e Qeverisë në luftën kundër pandemisë ka qenë dhe mbetet prioritet, ndërsa ndihma juaj e vazhdueshme pa dyshim që është shumë e rëndësishme për tejkalimin e kësaj situate”, theksoi kryeministri Hoti.

Gjatë takimit u bë e ditur se Instituti gjerman “Robert Koch”, ka certifikuar testimet për COVID-19, të IKSHP-së, të cilat do të njihen dhe pranohen edhe nga shteti gjerman.

Ndërsa, të pranishmit e falënderuan kryeministrin Hoti për pritjen, si dhe e vlerësuan lart bashkëpunimin e deritanishëm, duke spikatur faktin se ata do të vazhdojnë ta ndihmojnë Kosovën në luftën e përbashkët kundër pandemisë COVID-19.