Hoti- Qeverisë: Mos rrezikoni mbështetjen e SHBA-ve, ose do të izoloheni si regjimi i Enver Hoxhës

Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hot i është drejtuar Qeverisë duke thënë që t’i dëgjojnë propozimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ai përmendi një historik të arritjeve si rezultat i bashkërendimit me SHBA-në.
“Ka ndodhur njohja nga Izraeli, E kemi demarkuar praktikisht një pjesë të kufirit me Serbinë, E kemi siguruar mbështetjen për projekte madhore të hekurudhave dhe autostradave, E kemi siguruar mbështetjen nga MCC për gaz dhe energji, E kemi nënshkruar marrëveshjen për insentiva të investimeve dhe qasje në financa në tregje amerikane, E kemi nënshkruar marrëveshjen për teknologji 5G të sigurt. E kemi kornizuar dialogun vetëm për njohje reciproke, pa cenuar integritetin territorial, pa prekur karakterin unitar të shtetit të Kosovës, si dhe duke mos pranuar asgjë pa u nënshkruar marrëveshja për njohje reciproke.”, shkroi në Facebook Hoti.
Ai i tha Qeverisë që të mos rrezikojnë mbështetjen e SHBA-së, pasi që sipas tij nëse ndodh një gjë e tillë atëherë kjo qeveri do të detyrohet të largohet nga pozita.
“Mos e rrezikoni këtë mbështetje, sepse do të mbeteni të izoluar si regjimi i Enver Hoxhës. Sigurisht se populli i Kosovës nuk e lejon që izolimi të vazhdoj. Do të detyroheni të lironi zyret dhe të dorëzoni mandatin tek ata që e ruajnë dhe avancojnë miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. ”, përfundoi Hoti./21Media

Back to top button