I mandatuari nga LDK për kryeministër të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se duhet të normalizohet sa më parë funksionimi i jetës ekonomike.

Sipas tij një gjë e tillë duhet të bëhet për faktin se janë shkaktuar dëmë ekonomike për shkak të pandemisë.

“Është evidente se COVID-19 ka shkaktuar shok ekonomik, duke ndikuar negativisht në prodhim, punësim, të ardhura dhe eksporte. Prandaj, duhet ndërmarrë masa që sa më parë të normalizohet funksionimi i jetës ekonomike në vend.
Për mobilizimin e fondeve për rimëkëmbje ekonomike tashmë kemi filluar komunikimin me institucionet relevante për absorbimin sa më efikas të mbështetjes teknike dhe financiare.”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Nga 18 maji Kosova ka hyrë në fazën e dytë të lirimit të masave, gjatë kësaj fazeu rihapën sallonet e ondulimit, stomatologët dhe fizioterapeutët, tregtarët me pakicë dhe tregu i gjelbër, gastronomia (merre-me-vete), transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndër-urban (me leje të veçanta), qendrat e thirrjeve telefonike (me lista të stafit esencial), si dhe hapja e galerive dhe muzeve.

Nga data 28 maj parashihet që të zgjatet orari i lëvizjes prej orës 5:00 të mëngjesit deri në orën 21:00. Ndërsa nga 1 qershori parashihet që Kosova të hyjë në fazën e tretë të lirimit të masave që nënkupton edhe heqjen e karantinës./21Media