Kryeministri Avdullah Hoti sonte u shpreh se vetëm duke mbajtur maskën dhe duke ruajtur distancën, mund ta fusim nën kontroll këtë valë të dytë të COVID- 19 dhe ta mundim virusin.

Hoti përmes facebook-ut deklaroi se Kosova vazhdon ta ketë situatën nën kontroll.

“Numri i testimeve për COVID-19 po rritet, sikurse po rritet edhe numri i rasteve. Ne vazhdojmë ta kemi situatën nën kontroll dhe kemi shumë më pak të infektuar në krahasim me rajonin dhe Evropën. Institucionet tona po e bëjnë të pamundurën që ta mbajnë nën kontroll këtë situatë, sidomos stafi shëndetësor, prandaj t’i ndihmojmë ata.”, shkroi Hoti në facebook.

Sipas kryeministrit, trajektores së kuqe që ka filluar të ngrihet, mund t’ia ndalim hovin vetëm duke i respektuar masat për parandalim të përhapjes së virusit.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës sot informoi se gjatë 24 orëve të fundit vdiqën tre persona që ishin të prekur me Covid-19, ndërsa u konfirmuan edhe 514 raste të reja. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 86 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 15.520 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.641. Numri total i rasteve pozitive është 19.842 raste nga 94.456 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 681 raste të vdekjes./21Media