Para marrjes së masave të reja antiCovid, kryeministri Avdullah Hoti sot u takua me përfaqësuesit e odave ekonomike në Kosovë.

Në konferencën e përbashkët për media, kryeminstri tha se kanë diskutuar rreth ligjit për rimëkëmbje.

“U dakorduam të punojmë bashkë për pakon e re të rimëkëmbjes ekonomike dhe të finalizojmë masat për një pako të tretë fiskale që të bëhet në janar. Pika kryesore e diskutimit ka të bëjë me masat antiCovid. Masat që janë në fuqi që janë miratuar më 11 nëntor dhe kanë dhënë efekt të kënaqshëm një rënie e lehtë dhe është parandaluar rritja dhe jemi stabilizuar”, tha Hoti.

Tutje ai bëri të ditur se pas pak do t’i takojë profesionistët shëndetësorë për t’i rishikuar masat në detaje që duhet t’i ndërmarrin krahas gjendjes së re.

“Situata nuk pritet të përmirësohet sa i përket pandemisë në javët në vijim, ne duhet të përgatitemi për javët e ardhshme. U takuam me Odat Ekonomike në mënyrë që para se të marrim masa të reja të konsultohemi me ta. Pas këtij takimi do të takohemi me profesionistët shëndetësor për të diskutuar për gjendjen me pandeminë. Mora rekomandime nga Odat dhe Shoqatat”, tha Hoti.

Kryeministri poashtu tha se është diskutuar edhe orari i punës në gastronomi dhe mundësia e punës “Merr me vete”.