Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë sot se dialogu teknik ka përfunduar.

Ai përmes një postimi në “Facebook”, ka deklaruar se dialogu s’ka alternativë.

“Dialogu nuk ka alternativë. Por, dialogu teknik ka përfunduar. Tani Kosova ka nisur dialogun për njohje reciproke, dhe sot në Bruksel fillon draftimi i kësaj marrëveshje. Qasja refuzuese ndaj dialogut dhe ndaj miqve tanë në të kaluarën e afërt na ka izoluar. Shtëpia nuk mbahet pa miq”, ka shkruar Hoti.

Ai tutje ka thënë se Kosova ka një kryeministër që “po i ushtron autorizimet kushtetuese pa lejuar asnjë ndërhyrje në ato autorizime, por duke e koordinuar agjendën e shtetërore të Kosovës me bartësit e institucioneve, me partnerët e koalicionit dhe me opozitën, si dhe duke e mbajtur plotësisht të informuar publikun e gjerë”.

Koordinatorët nga Kosova dhe Serbia do të takohen sot në Bruksel, ku do të diskutojnë temat që u biseduan në takimin e nivelit të lartë Kosovë-Serbi që u mbajt javën e shkuar nën ndërmjetësimin e BE-së, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq./21Media