Hoti: Të pagjeturit, çështja kryesore e marrëveshjes me Serbinë

 

Kryeministri Avdullah Hoti dhe përfaqësues të shoqatave të familjeve të të zhdukurve sot bënë homazhe te Obelisku i personave të pagjetur, nga ku u kërkua që Serbia të tregojë se ku janë më të dashurit e tyre.

Kryeministri Hoti tha se fati i të pagjeturve është plagë e hapur dhe është temë edhe me e ndjeshme tash 20 vjet pas çlirimit.

Hoti u shpreh se kjo është temë kryesore për çdo marrëveshje që do të arrihet me Serbinë.

“Kjo është plagë e hapur akoma, është tema më e ndishme edhe pas 20 vjetëve të çlirimit. Nuk është e tepërt ta them para jush se kjo është çështja kryesore në çfardo marrëveshje që mund të arrihet për normalizim të marrëdhënieve për njohje reciproke me Serbinë, dhe nuk mund të jemi të qetë derisa familjet e të pagjeturve të dinë ku i kanë të dashurit e tyre”, deklaroi Hoti.

Ndërsa, kryetari i Këshillit koordinues i Asociacioneve të familjarëve të personave të pagjetur, Ahmet Grajçevci tha se edhe ky vit po na gjen pa e zbuluar fatin e 1641 personave të zhdukur.

“Ne e dimë se Serbia i ka marrë të gjallë dhe i ka dërguar në Serbi dhe Ne si familjarë përgjegjësi kërkojmë rrugëtimin e tyre, vend ndodhjen e tyre dhe ku janë. Kjo përgjegjësi i takon shtetit Serb që të na dhëjnë”, u shpreh ai.

Ndërkohë, homazhe bënë edhe përfaqësuesit e organizatës“Zëri i Prindërve”, nga Mitrovica. Kryetari i kësaj organizate, Bajram Qerkini tha se kjo është ditë që i bëjnë me lot familjarët e të pagjeturve.

Ai kritikoi Qeverinë për siç tha ai, neglizhencën që ia kanë bërë kësaj organizate në këtë ditë.

“Jo neglizhencë, po maltretim i madh, jo bashkëpunim ashtu qysh duhet, jo ashtu 20 e diçka shoqata mos me ardh me durë në gjepa, në këtë ditë ndërkombëtare ku derdhin lot me miliona njerëz që nuk e dinë ku i kanë më të dashurit tonë. Edhe na i kemi 1643 të pagjetur, edhe ne është kanë mirë me qenë të paktën 200 veta këtu, edhe ne kish qenë mirë me ardhur prej çdo komune bile 20 veta këtu. Çka u ba me neve kështu? Deri kur? Edhe sa duhet me ba kësi gjana në mes veti politikisht me një qëllim. Qëllimi kryesor është zbardhja e fatit të pagjeturve, por edhe jetesa e juve, e fëmijëve të juaj”, u shpreh Qerkini.

Sot është Dita Ndërkombëtare e Personave të Pagjetur, e cila ka për qëllim të tërheqë vëmendjen për ata njerëz që kanë humbur gjurmët në konflikte apo rrethana të tjera. 30 Gushti është shpallur nga Kombet e Bashkuara si ‘Dita për të nderuar viktimat e zhdukjes së dhunshme’. Kjo ditë do të shënohet edhe në vendin tonë, ku edhe 1640 persona vazhdojnë të jenë të evidentuar si të zhdukur vetëm nga lufta e fundit.

Back to top button