Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti u shpreh optimist se procesi i dialogut do të përfundojë brenda disa muajsh.

Ai po ashtu u shpreh se dialogu nuk ka qenë asnjëherë teknik.

“Unë do të doja që të vijmë në një marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke ose do të konkludojmë që nuk mund të merremi me marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke. Por procesi deri më tani pavarësisht sfidave që ka pasur është zhvilluar relativisht mirë”, tha Hoti në një konferencë për media.

Të enjten do të rifillojë dialogu Kosovë-Serbi në nivel të ekspertëve. Në Bruksel pritet të vazhdohet diskutimi ndërmjet palëve për pretendimet financiare. Këtë e kanë konfirmuar Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian./21Media