Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti priti sot përfaqësuesit e komunitetit boshnjak të Kosovës, të cilëve u printe Rasim Demiri, kryetar i koalicionit VAKAT dhe deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Takimi u mbajt në prag të 25-vjetorit të masakrës së Srebrenicës, në të cilën forcat serbe vranë 8372 civilë boshnjakë.

“Tragjedia e Srebrenicës nuk mund të harrohet asnjëherë”, tha kryeministri Hoti, i cili, në emër të Qeverisë së Kosovës dhe për t’i nderuar viktimat e kësaj tragjedie, kërkoi që nesër, në të gjithë Kosovën, në orën 13.00, të mbahet një minutë heshtje.

Ndërsa, duke folur për gjendjen e sotme si pasojë e pandemisë COVID 19, Kryeministri Hoti shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës që ta ndihmojë komunitetin boshnjak të Kosovës, por edhe të Sanxhakut për ta përballuar këtë sfidë të rëndë./21Media