Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, kryeministrit Avdullah Hoti i është kërkuar transparencë për çdo marrëveshje që nënshkruan qeveria, duke i bërë publike në faqen zyrtare. Hoti ka thënë se qeveria që ai drejton, për herë të parë, ka vendosur që çdo vendim që nënshkruhet nga kryeministri ose ministrat, të publikohet në gazetën zyrtare.

Mirëpo deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba ka pyetur kryeministrin pse nuk janë publikuar marrëveshjet me Shqipërinë.

“Zoti Hoti premtuat në konferencë për media të datës 11 shtator pas mbledhjes së Qeverisë së po të njëjtën ditë pasdite do të publikohen në web faqen e kryeministrit të gjitha marrëveshjet me Shqipërinë, sot jemi më 12 nëntor dhe asnjë e tillë nuk është publikuar”, tha ai.

Për këtë Hoti thotë se kanë marrë hapa konkret për të siguruar transparencë maksimale.

“Jemi duke finalizuar ligjin për aktet juridike, që e rregullojnë mënyrën si përgatiten e publikohen të gjitha aktet ligjore e nënligjore në nivel të qeverisë”, tha ai.

Ndërsa Zyba ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga Hoti nuk e ka shumicën as për të vazhduar mbledhjet në Kuvendin e Kosovës.

“Ke prirje për me deviju pyetjen dhe qëllimi ne pyetjes, por ja që për ligje nuk vendos ti por vendos Kuvendi, e në këtë Kuvend nuk e ke shumicën as për kuroum me vazhdu mbledhjen”, ka thënë ai.

Në përgjigjën e tij, Hoti ka thënë se nuk kanë marrë asnjë vendim të kundërligjshëm, gjë që sipas tij, ka ndodhur me qeverinë paraprake.

“Unë për dallim prej qeverisë paraprake nuk kam marrë asnjë vendim që është kundërligjor, as kundërkushtetues, krejt vendimet janë ligjore dhe kushtetuese dhe atë që të thash, për herë të parë në këtë qeveri është marrë vendim që çdo vendim që merr ministër, ose qeveria, që nënshkruhet nga ministri e nga kryeministri, publikohet në gazetë zyrtare, ku ka transparencë më të madhe se kjo. Nëse një vendim, ose një marrëveshje e caktuar siç e përmendet ato marrëveshjet me Shqipërinë, nëse nuk janë vendosë menjëherë në web faqe të kryeministrisë, gazetë zyrtare ose të ministria përkatëse, e marr si vërejtje dhe shoh ku ka ngecur puna dhe për disa ditë mbyllet kjo çështje, por mos e devijo diskutimin për këtë punë”, ka thënë Hoti.