Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit.

Hoti ka ftuar që kjo festë të kremtohet në shtëpi, pasi vetëm kështu mund të kontribuojmë në menaxhimin e situatës me pandeminë.

“Me fat Kurban Bajrami. Uroj dhe lutem që të keni shëndet të mirë ju dhe familjet tuaja. Dua të besoj se festat e ardhshme do t’i presim në një situatë krejt normale, pa pandemi, me gëzime e me sfidat e zakonshme që ka jeta. Sot festoni në shtëpitë tuaja dhe lutuni për familjarët, miqtë, vendin dhe mbarë njerëzimin. Duke qëndruar në shtëpi i ndihmojmë heronjtë e vijës së parë të frontit – stafin tonë shëndetësorë, të cilët po përballen me këtë pandemi për gjashtë muaj pa pushim. Edhe sot në këtë ditë feste, ata janë duke u kujdesur për qytetarët në nevojë. T’i respektojmë masat sot, që të festojmë përjetë e mot”, thuhet në urimin e kryeministrit.

Në këtë ditë është e rëndësishme që të prehet kurbani i cili sipas fesë islame duhet të ndahet në tri pjesë, një pjesë për vete, një pjesë për të afërmit dhe pjesa tjetër duhet të shpërndahet për të varfrit.

Festën e Kurban Bajramit e festojnë myslimanët në mbarë botën./21Media