Kryeministri  Avdullah Hoti, priti në takim lamtumirës shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Jan Braathu, të cilin e falënderoi për kontributin e dhënë në demokratizimin dhe fuqizimin e institucioneve si dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Nga ana e tij, Braathu e falënderoi Hotin për bashkëpunim dhe korrektësi institucionale, duke theksuar se nëntë vjetët e shërbimit të tij në Kosovë kanë qenë ndër vitet më të rëndësishme si në aspektin profesional ashtu edhe atë njerëzor.

Ai veçoi mikpritjen, mbështetjen dhe miqësinë që ka krijuar me institucionet dhe qytetarët e Kosovës.

Në kohën sa ka shërbyer ambasador i Norvegjisë në Kosovë (2011 – 2016) Jan Braathu ka dhënë kontribut të çmuar në thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.