​Hovenier kërkon shtyrjen e zbatimit të vendimit për dinarin serb

(Lajm i përditësuar)


Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka kërkuar shtyrjen e vendimit për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në Kosovë.

Hovenier, bëri të ditur se sot ka takuar guvernatorin e BQK-së, Ahmet Ismaili, derisa theksoi se respektojnë Kushtetutën e Kosovës, mirëpo, shtoi se vendimi për përdorimin vetëm të valutës euro sa i përket operacioneve me para të gatshme ka konsekuenca te qytetarët serb në Kosovë, andaj kërkoi pak kohë dhe përgatitje që popullsitë e prekura të mos ndikohen negativisht.

“Së pari besoj se këtë vendim e ka marrë Banka Qendrore e Kosovës e cila është institucion i pavarur dhe kam pasur rastin të takohem me kreun e Bankës Qendrore sot në mëngjes. Shtetet e Bashkuara absolutisht e pranojnë Kushtetutën e Kosovës…Ne presim që Kushtetuta në tërësinë e saj të zbatohet plotësisht. Në këtë rast të veçantë, ne besojmë se këto rregullore mund të kenë pasoja që nuk janë menduar plotësisht. Pra, ajo që ne po i kërkojmë Bankës Qendrore dhe autoriteteve të bëjnë është të shtyjnë zbatimin e disa prej dispozitave për të dhënë pak kohë për t’u siguruar që ata kanë bërë përgatitjen për të siguruar që popullsitë e prekura të mos ndikohen negativisht. Personat që kanë marrë pagesa në një mënyrë të caktuar kanë marrëveshje për të marrë pagesa në një mënyrë tjetër… Ne respektojmë absolutisht autoritetin e Bankës Qendrore të Kosovës për të rregulluar transaksionet financiare në mbarë Kosovën. Ky është autoriteti i tyre i përgjegjësisë. Dhe besoj se një pjesë e kësaj rregulloreje shkon në diçka që ne dhe shumë të tjerë e kemi kërkuar prej kohësh, që është sigurimi i kontrolleve të duhura financiare për të shmangur krimet financiare, pastrimin e parave, financimin e terrorizmit, gjëra të tilla. Por ne besojmë se nevojitet kohë dhe nevojitet periudha e tranzicionit, dhe disa çështje duhet të zgjidhen të cilat nga këndvështrimi ynë nuk duket se janë zgjidhur ende, kështu që ne si QUINT kemi kërkuar shtyrje të vendimit të zbatimit për të lejuar realizimin e kësaj pune”, tha ai.

Këto komente Hovenier i bëri pasi mori pjesë në përurimin e nyjave qendrore arsimore në kuadër të RIT Kosova, të cilat mbështeten nga USAID-i.


Hovenier takohet me guvernatorin e BQK-së, kërkon të shtyhet vendimi për dinarin

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka njoftuar se është takuar me Guvernatorin e Bankës Qëndrore të Kosovës, Ahmet Ismaili.

Në llogarinë e tij në X, Hovenier tha se ai përsëriti shqetësimet e Shteteve të Bashkuara në lidhje me vendimin e BQK-së sa i përket ndalimit të dinarit serb.

“Sot pata një takim produktiv me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili. Përsërita shqetësimet e SHBA-së për zbatimin e rregullores së ndryshuar për operacionet me para. Ne kërkojmë që zbatimi të shtyhet për të lënë kohë të mjaftueshme për tranzicion efektiv dhe komunikim publik për të zbutur ndikimin negativ tek qytetarët”, tha Hovenier.

Back to top button