“U takuam me presidenten”, Hoxha thotë se protesta ka qenë gjithëpërfshirëse

(Lajm i përditësuar)
“U takuam me presidenten”, Hoxha thotë se protesta ka qenë gjithëpërfshirëse
Eliza Hoxha nga Liria ka Emër në ”Click” të RTV21 ka folur për organizimin dhe mbështetjen institucionale lidhur me protestat, me theks të veçantë në protestën e sotme. Ajo theksoi se organizatorët kanë ndjekur një qasje gjithëpërfshirëse, duke dërguar ftesa për të gjitha partitë politike, komunën dhe institucionet shtetërore, ndërsa konfirmoi se edhe Presidenca ka shprehur gatishmëri për pjesëmarrje.
“Nuk e kemi bindur personalisht askënd. Ne kemi dërguar ftesë te të gjitha partitë, te komuna. Jemi takuar me presidenten dhe zyra e saj na e ka konfirmuar pjesëmarrjen në protestë”, tha Hoxha.
Ajo shtoi se takimet paraprake janë zhvilluar në frymë bashkëpunimi dhe me dy qëllime kryesore.
“Qasja ka qenë gjithëpërfshirëse në këto takime. I kemi pasur dy pika: e para, simbolika e dialogimit, që thjesht mund të pajtohemi për disa gjëra pa dallim partie”, u shpreh Hoxha.
Hoxha: Festa ka peng, ata që shpallën Pavarësinë sot po përballen me drejtësinë
Eliza Hoxha nga Liria ka Emër ka deklaruar se, përkundër atmosferës festive, ekziston një ndjenjë pengu për shkak të mungesës së disa prej figurave kyçe të shtetndërtimit.
Në “Click” në RTV21, ajo theksoi se disa nga njerëzit kryesorë që shpallën Pavarësinë e Kosovës dhe mbajtën pozita udhëheqëse, sot po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
“Edhe festa e ka një peng, sepse njerëzit kryesorë për çka ne festojmë janë njerëzit që e kanë shpallur Pavarësinë e Kosovës. Kanë qenë në udhëheqje, disa prej tyre kanë qenë edhe në pozicione nga të cilat është dashur të heqin dorë për të shkuar në Hagë, dhe pjesa tjetër lidhet me drejtësinë”, tha Hoxha./RTV21/21Media