Hoxha: Grup i dyshuar për vrasjen e rreshterit Lika, dyshohet për prirje ekstremiste

Policia dhe Prokuroria Themelore në Ferizaj, pas një aksioni të madh policor për arrestimin e shtatë personave të dyshuar për vrasjen e policit Muhamed Lika, kanë dhënë detaje në konferencë për media.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, deklaroi se disa nga të dyshuarit dyshohet kanë të kaluar kriminale dhe kanë qenë të arrestuar më parë për raste të ndryshme, përfshirë edhe ato me prirje ekstremiste. Megjithatë, sipas tij, ende është herët për të folur me siguri për ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me terrorizmin, pasi hetimet janë në vazhdim dhe do të shtrihen edhe më tej.
“Ne kemi arritur të sigurojmë prova dëshmi, të cilat i lidhin këtë grup kriminal me vrasjen e rreshterit tonë, mbetet të shihet backgroundi i tyre, disa nga ta kanë pasur të kaluar kriminale kanë qenë të arrestuar rreth rasteve të më hershëm me prirje ekstremiste, por për çështjen e terrorizmit duhet ta shohim pastaj sepse hetimet do të vazhdojnë tutje për të vërtetuar këtë punë, janë persona të dyshimtë të rrezikshëm të cilët, ne dyshojmë që e kanë kryer këtë vrasje dhe kanë planifikuar dhe bashkëekzekutua”, theksoi ai.
Ndërsa i pyetur se a ka qenë në detyrë rreth këtyre ngjarjeve, Hoxha tha se rreshteri ka qenë në detyrë në “mbështetje të hetimeve të policisë me qëllim të ndriçimit të rasteve të më hershme”, dhe se kanë qenë të arrestuar në lidhje me pamfletin dhe djegien e gjykatës në Kaçanik.
“Rreshteri jonë ka qenë në detyrë zyrtare kur kanë ndodhur këto raste dhe ka punuar në mbështetje të hetimeve të policisë me qëllim të ndriçimit të rasteve të më hershme. Këta janë persona të dyshimtë që kanë qenë disa prej tyre kanë qenë të arrestuar te rastet e më hershme në lidhje me pamfletin dhe djegien e gjykatës në Kaçanik”, tha ai.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?