Hoxha: Hartimi i Kodit Civil në përputhje me standardet evropiane

Ministrja në largim e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, në konferencën për media prezantoi fillimin e punës për hartimin e Kodit Civil

Ministrja Hoxha deklaroi se Ministria e Drejtësisë, prioritet të saj ka kodifikimin e të drejtës civile dhe se Kodi Civil luan rol të rëndësishëm në zhvillimin e një sistemi funksional të marrëdhënieve të detyrimeve, të drejtave sendore, pronësisë, si dhe të drejtës familjare dhe trashëgimore.

“Sot, në Kosovë, ekziston një realitet ligjor kompleks dhe shpeshherë problematik për sa i përket zbatimit dhe interpretimit, ku në këtë situatë ka ndikuar nevoja e vazhdueshme për plotësimin dhe ndryshimin e ligjeve në funksion të harmonizimit me direktivat e Bashkimit Evropian”, theksoi Ministrja Hoxha.

Me qëllim të përcaktimit të një sistemi ligjor, Ministria e Drejtësisë pas shqyrtimit të kujdesshëm, si referencë ka vendosur që Kodi Civil të ndjekë modelin gjerman.

“Vendimi që të ndiqet modeli gjerman është rrjedhojë e ngjashmërisë në qasjen ligjore, metodologjinë dhe traditën ligjore dhe besimin se modeli gjerman i përshtatet më mirë nevojave të Kosovës. Duke ndjekur këtë model, besojmë se do të sigurojmë përputhshmëri me standardet dhe praktikat më të mira evropiane”, tha Hoxha.

Hoxha, po ashtu theksoi se Ministria e Drejtësisë do të sigurohet se ky model do të përdoret si referencë, ndërsa përmbajtja e tij do të përshtatet me kornizën ligjore, institucionale, dhe rrethanat shoqërore-juridike në vend.

Back to top button