Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj emërimin e presidentit të ri në Kosovë e konsideroi si çështje të partnerëve të koalicionit qeverisës, por tha se për zgjidhjen e kësaj teme ka kohë dhe hapësirë. Ani pse kërkoi unitet dhe urtësi për të mos lejuar vakum institucional dhe Kushtetues, pas dorëheqjes së ish-presidentit Thaçi, Hoxhaj theksoi se partia e tij nuk ka shqetësime se çka do të ndodhë me koalicionin qeverisës.

Hoxhaj përmes një konference për medie të premten, tha se pas konfirmimit të aktakuzave për Thaçin e Veselin, Kosova është në një situatë të rëndë.

“Çështja e zgjedhjes së presidentit është çështje që ka kohë dhe hapësirë. Mbi të gjitha mendojmë që është çështje e partnerëve të koalicionit. Ata që kanë shumicën në Kuvendin e Kosovës do të duhej të marrin qëndrim për një temë të tillë”, tha ai.

Përkundër kësaj, Hoxhaj tha se si parti nuk do të ngritin flamurin e bardhë, por do të qëndrojnë në ballë të udhëheqjes së proceseve që po kalon vendi.

Hoxhaj vlerësoi se kryetari Veseli dhe ish-presidenti Thaçi do të dalin faqebardhë nga kjo sfidë dhe se dje ishin në lartësinë e burrështetasve të rrallë.

Krahas kësaj, Hoxhaj tha se nuk kanë shqetësime se çfarë vizita bënë ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani.

Ndërkohë edhe tregoi vendimet që ka marrë dje kryesia e PDK-së, ku e kanë emëruar atë si u.d të kryetarit.

Hoxhaj u shpreh se Partia Demokratike e Kosovës ka qenë, është dhe do të jetë trashëgimtare e vlerave më të mira të luftës së popullit shqiptar për liri dhe me krenari do të mbrojë lavdinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.