Hoxhaj deklarohet pas shpalles së kandidaturës nga Lladrovci
Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci të mërkurën ka shpallur kandidaturën për një mandatin e dytë në zgjedhjet lokale, të cilat pritet të mbahen në tetor të këtij viti.
Lladrovci ka shkruar se garës për të parin e Drenasit ia mësyn në mungesë të konfirmimit të kandidaturës së tij nga ana e Kryesisë dhe u.d. së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj.
Por, ky i fundit, në një konferencë për media ka thënë se PDK në mbledhjen e mbajtur mbrëmë ka vendosur që në zgjedhjet lokale të kandidojë të gjithë kryetarët aktual nga radhët e veta, në komunat përkatëse.
Hoxhaj ka bërë të ditur për media vendimet që ka marrë mbrëmë Partia Demokratike e Kosovës.
“Të gjithë deputetët e kryesisë të PDK-së që janë pjesë e kryesisë aktuale janë pjesë e listës për të qenë deputetë. Së dyti, të gjithë deputetët që janë aktualisht deputetë në Kuvendin e Kosovës janë pjesë e listës. Së treti, të gjithë kryetarët aktual të komunave, që drejtohen nga PDK-ja, garojnë për zgjedhjet lokale që mbahen në fund të vitit, kjo vlen për z. Lladrovci, për z. Aliu dhe për të gjitha komunat që ka PDK. Dhe, së katërti, çdo kryetar i degës së PDK-së do të duhet të jetë pjesë e listës zgjedhore”, tha Hoxhaj.
Ai nuk ka dashur të komentojë për situatën politike që mund të mbretërojë në rast se kalon afati kohor prej 6 muajsh i ushtrueses së detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani.