Ushtruesi i Detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka mbajtur sot një konferencë për media.

Gjatë kësaj konference, Hoxhaj ka thënë se fillimi i procesit gjyqësor ndaj kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli sot, ish kryetarit e presidentit Hashim Thaçi, ish kryetarit të Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqit dje si dhe deputetit Rexhep Selimi nesër, përbëjnë një ndër ngjarjet më tronditëse të historisë dhe të politikës në Kosovë.

Me këtë rast, Hoxhaj ka shtuar se kjo është një situatë e vështirë edhe për Partinë Demokratike të Kosovës, por si parti e shpresës, këtë gjendje të jashtëzakonshme dhe të vështirë do ta shndërrojmë në forcë për t’i shërbyer Kosovës

‘Ndërsa ne përballemi me këtë goditje të drejtpërdrejtë, Serbia udhëhiqet sot nga bashkëpunëtorë të drejtpërdrejtë të regjimit gjenocidal të Millosheviçit, të cilët jo vetëm që nuk janë dënuar apo kanë kërkuar falje për gjenocidin në Kosovë, por janë hedhur në revansh për të përmbysur arritjet e deritanishme të Kosovës.”, ka thënë Hoxhaj.