Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj ka reaguar sot pas seancës statusore të Gjykatës Speciale, ndaj ish-presidentit Thaçi, kryetarit Veseli, ish-kryeparlamentarit Krasniqi dhe deputetit Selimi.

Hoxhaj ka thënë se procesi gjyqësor ndaj Thaçi, Veselit, Krasniqit, Selimit, si dhe bashkëluftëtarëve të tyre, është një tentim për rishkruarjen e historisë përmes një procesi të paprecedent në historinë e drejtësisë ndërkombëtare.

Hoxhaj në Facebook ka shkruar se në Hagë po tentohet të rishkruhet historia e Kosovës, të rinegociohet liria e jonë dhe të njolloset lufta e drejtë e UÇK-së.

“Në ditën kur në Serbi po zhvarrosen eshtrat e shqiptarëve, viktimave të ndërmarrjes së përbashkët kriminale, në Hagë po gjykohen ushtarët e lirisë së ndërmarrjes së përbashkët çlirimtare! Në ditën kur katër metra nën tokë po shfaqen përmasat e gjenocidit serb, në Hagë po gjykohen luftëtarët e lirisë! Lufta e popullit të Kosovës për liri nuk mund të ndryshohet. Nuk mund të gjykohet. Nuk mund të dënohet! Lufta e popullit të Kosovës nuk mund të ndërrohet, sepse mban vulën e NATO-s, Tony Blairit, Bill Clintonit dhe botës perëndimore e demokratike. Presidenti Thaçi, kryetari Veseli dhe bashkëluftëtarët e tyre janë përfaqësues të kësaj lufte, të kësaj lirie dhe kësaj pavarësie, që janë të shenjta dhe nuk mund të ndërrohen nga askush”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook./21Media