Humb jetën një 29-vjeçar në një aksident në Prizren

Një 29-vjeçar ka mbetur i vdekur si pasojë e një aksidenti mes një motoçiklete, kamioni dhe veture në rrugën “Transiti i vjetër në Prizren.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Sipas informacioneve fillestare, Bytyqi ka deklaruar se dyshohet se drejtuesi i motocikletës, duke mos e përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës, fillimisht ka goditur lehtë veturën, ndërsa më pas është përplasur nga prapa në kamion.

“Si pasojë e aksidentit, motociklisti, E.A., rreth 29 vjeç, ka humbur jetën. Vdekjen e viktimës e kanë konstatuar ekipet mjekësore në vendin e ngjarjes. Policia ka dalë menjëherë në vendngjarje, ku ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, përfshirë sigurimin dhe këqyrjen e vendit të ngjarjes. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i shtetit. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, ka thënë Bytyqi për rtv21.tv

Back to top button