Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti me paragllajdë në fshatin Korish të komunës së Prizrenit.

Përmes një komunikate për media, Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike ka njoftuar se aksidenti ka ndodhur dje rreth orës 13:45 në mes dy paragllajdve të cilët janë përplasur në mes veti gjatë kohës së aterrimit.

Me këtë rast janë lënduar dy persona njëri i moshës 27 vjeç i gjinisë mashkullore me inicialet F.G dhe tjetra e moshës 23 vjeçe e gjinisë femërore me inicialet F.G.

I lënduari mashkull sipas komunikatës ka ndërruar jetë mbrëmë rreth orës 20:00 në QKUK.

Ekipet kujdestare të Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike (KHAIA) kanë dalë në vendin e ngjarjes bashkërisht me njësitë rajonale të Policisë së Kosovës në Prizren dhe kanë ekzaminuar provat në terren.

“KHAIA do të hap hetime për këtë rast dhe Raporti përfundimtar i cili do të përfshijë rekomandimet do t’i dërgohet Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë./21Media