Qeveria hungareze ka njoftuar për masa më të rrepta kundër pandemisë pasi autoritetet raportuan shtrime rekorde në spitale dhe vdekje të shkaktuara nga COVID-19.

Në një video të postuar në Facebook më 9 nëntor, kryeministri, Viktor Orban tha se do të vendoset orë policore prej orës 8 të mbrëmjes deri në 5 të mëngjesit dhe se kjo masë do të zbatohet ndaj të gjithëve, përveç atyre që shkojnë në punë.

Bizneset do të duhet të mbyllen në orën 7 të pasdites, ndërsa restorantet do të kufizohen vetëm në shërbimin e dërgimit dhe shpërndarjes nëpër shtëpi të produkteve, ngjarjet sportive do të mbahen pa tifozë, dhe tubimet familjare dhe ngjarjet e tjera private do të kufizohen në 10 persona.

Kopshtet parashkollore, kopshtet dhe shkollat për fëmijë deri në 14 vjeç do të mbeten të hapura, por universitetet dhe shkollat e mesme do të kalojnë në mësimin në distancë.

Vendimi do të fillojë të zbatohet nga mesnata e 10 gushtit. Kufizimet e reja do të qëndrojnë në fuqi për të paktën 30 ditë.

Autoritetet shëndetësore raportuan për 5,162 raste të reja dhe 55 vdekje më 9 nëntor, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vendit në më shumë se 114,000 të infektuar dhe gati 3,000 viktima.

“Nëse numri i të infektuarve me koronavirus rritet me ritmin aktual… spitalet hungareze nuk do të jenë në gjendje të përballojnë barrën”, tha Orban./REL