Duke nisur nga dita e sotme, në Shqipëri hyjnë në fuqi masat e reja kufizuese të propozuara nga Komiteti Teknik i Ekspertëve për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Sipas masave të marra, do ndalohen aktivitetet e kafiterive, restoranteve dhe kufizimin e lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00-06:00, për një periudhë 3-javore.

Sipas urdhrit të firmosur nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, përjashtim nga kufizimet bëjnë personat që do të lëvizin për motive pune, emergjenca shëndetësore apo nevoja të domosdoshme.

Qytetarët që do u nevojitet që të dalin pas orës 22:00 deri në 06:00 të mëngjesit, do duhet të pajisjen me autorizim në platformën e-Albania. Përjashtim bëjnë rastet kur janë emergjenca shëndetësore apo për institucionet e shëndetësisë dhe punonjësit e shërbimeve kritike.

Masat kufizuese që hyjnë në fuqi nga sot (11 nëntor -2 dhjetor 2020) në Shqipëri:

-Kufizim të lëvizjes nga ora 22:00-6:00, me përjashtim të lëvizjes për motive pune, emergjenca shëndetësore apo nevoja të domosdoshme.

– Qytetarët që do u nevojitet që të dalin pas orës 22:00, do duhet të pajisjen me autorizim në e-Albania

-Kufizim të bareve restoranteve fast- food nga ora 22:00-6:00 (përveç shërbimit delivery)

-Administrata do të punojë online. Përjashtim bëjne strukurat ofruese të shërbimeve duke zbatuar protokollet e sigurisë.

-Përjashtim bëjnë rastet kur janë emergjenca shëndetësore apo për institucionet e shëndetësisë dhe punonjësit e shërbimeve kritike

Subjektet apo individët, të cilët nuk zbatojnë urdhrat e dhëna nga organet kompetente për mosmbylljen e bareve, lokaleve, restoranteve dhe klubeve, dënohen me gjobë në masën 1 milion lekë dhe në rast përsëritjeje iu shtohet edhe mbyllja e aktivitetit për një periudhë 6-mujore.

Subjektet dhe individët, publikë apo privatë, të cilët, në kundërshtim me urdhrat e autoriteteve kompetente, lejojnë zhvillimin e aktiviteteve sportive, sociale, kulturore, ekskursionet mësimore të organizuara nga institucionet arsimore, publike dhe private, brenda dhe jashtë vendit, dënohen me gjobë në masën 1 milion lekë dhe në rast përsëritjeje iu shtohet edhe mbyllja e aktivitetit për një periudhë 6-mujore.