Ministrja Hykmete Bajrami pas pranimit të detyrës së ministres së Financave dhe Transfereve u takua me stafin menaxherial të Ministrisë, ku u shpreh se emërimi i saj në këtë detyrë është përgjegjësi, por dhe privilegj i madh.

“Duke pasur parasysh situatën ekonomike të krijuar nga pandemia COVID19 dhe kërkesat e shumta buxhetore për mbështetje në luftimin e pandemisë të cilat presin për t’i zgjidhur na obligojnë të gjithë neve që bashkërisht tu japim zgjidhje të drejtë për të siguruar një të ardhme financiare të qëndrueshme e kjo arrihet nëse ne krijojmë kushte të favorshme për zhvillimin e sektorit privat në Kosovë.”, deklaroi Bajrami.

Ministrja Bajrami gjithashtu theksoi se sfidë tjetër për të gjithë stafin e MFT-së në këtë kohë pandemie është edhe rishikimi i buxhetit, ku u shpreh se duhet të kenë një angazhim tjetër shtesë dhe se në këtë rishikim do ta përfshijnë programin e Qeverisë Hoti. Ajo gjithashtu theksoi se e njeh një pjesë të stafit të ministrisë nga angazhimet e mëparshme dhe se në këtë ministri gjithmonë ka pasur dhe ka njerëz që me zotësinë e tyre e kanë dëshmuar se janë të përgatitur dhe të përgjegjshëm për tejkalimin e sfidave të mëdha./kp