Hyseni: 120 profesionistë shëndetësorë e lëshuan Kosovën, Latifi të jap dorëheqje

Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës Ekrem Hyseni, ka folur rreth gjendjes së sektorit të shëndetësisë në Kosovë.
Hyseni tha se rreth 120 profesionistë shëndetësorë e kanë lëshuar Kosovën.
Sipas Hysenit, e gjithë kjo situatë e krijuar në vend është “si pasojë e paaftësisë së Qeverisë”, pasi ai thotë se profesionistët shëndetësore po trajtohen me lëmoshë.
“Pandemia e paaftësisë e Ministrisë së Shëndetësisë. Paaftësia qeverisëse po i lë qytetarët pa shërbime shëndetësore, profesionistët shëndetësore po i trajton me lëmoshë gjersa investimet kapitale në këtë fushë janë realizuar vetëm 5 për qind. Janë diku 120 profesionistë shëndetësorë që e kanë lëshuar vendin, në mesin e tyre i kemi edhe 40 specializantë”, tha Hyseni.
Hyseni ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi.
Ai ka thënë se Kosova po përballet me një pandemi të re. Hyseni tha se Latifi nuk po mund t’u jap përgjigje problemeve të këtij sektori në vend.
“Mos të harrojmë që kohë më parë ministri i Shëndetësisë ka deklaruar se në rast dështimi, ai do të largohet, unë mendoj se është e frikshme nëse dështimet na vijnë nga mospuna dhe paaftësia. Ne mendojmë që gjithë këto dështime janë fakte të mjaftueshme që një ministër duhet të dorëhiqet”, ka thënë Hyseni.
Ai ka akuzuar Qeverinë edhe për mungesë të barnave esenciale, duke thënë se ka buxhet për furnizim me ilaçet që mungojnë.
“Mungesa e barnave nga lista esenciale është një problem i jashtëzakonshëm. Sipas KDI-së, MSH-ja ka ilaç të cilin e blen me 280 për qind më shtrenjtë sesa vlera e tregut të tij. Kemi buxhet për ilaçe, ka mungesë të ilaçeve. Kemi buxhet për investime kapitale, ato nuk janë realizuar, vetëm 5 për qind në gjashtë mujorin e parë”, tha Hyseni./21Media

Back to top button