Koordinatori shtetëror i Kosovës për dialogun me Serbinë, Skender Hyseni, tha se të shtunën do të udhëtojë për në Washington, ku do të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, me qëllim të koordinimit rreth procesit të negociatave.

SHBA-ja është plotësisht e inkuadruar në këtë proces, tha Hyseni në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. Të enjten në Bruksel, ai zhvilloi një raund tjetër bisedimesh me Serbinë, në nivel ekspertësh.

Hyseni tha se në Bruksel po zhvillohen negociata të vështira për “elementet e marrëveshjes finale”, e cila, sipas tij, ka për synim njohjen e ndërsjellë me Serbinë. Ai nuk deshi të zbulojë se cilët do të jenë kapitujt e ardhshëm, për të cilët do të bisedohet në Bruksel, por theksoi që kjo do të bëhet e njohur në fund të procesit negociator, kur të arrihet një tekst përfundimtar i marrëveshjes.

Pala serbe megjithatë tashmë ka deklaruar se në Bruksel deri më tani është biseduar për të pagjeturit, të zhvendosurit dhe për bashkëpunimin ekonomik. Hyseni shtoi se tashmë është i dukshëm një përkushtim ndryshe nga më parë i BE-së dhe SHBA-së, që kjo çështje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përfundimisht të zgjidhet.

Parimi është shumë i thjeshtë dhe pragmatik. Po diskutojmë elementë të caktuar, përkatësisht kapituj të një marrëveshjeje gjithpërfshirëse ligjërisht të obligueshme – kuptohet, në momentin që nënshkruhet – dhe po ashtu ndërkombëtarisht të obligueshme, që nënkupton që marrëveshja gjithpërfshirëse dhe përfundimtare do t’i nënshtrohet plotësisht të drejtës ndërkombëtare. Kjo marrëveshje për synim të vetëm ka njohjen formale ndërmjet Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si shtete të pavarura dhe sovrane. Një akt i tillë – besojmë ne në Kosovë – do të vendoste një paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor dhe i njëjti besim dhe synim është edhe në Bruksel, por edhe në Uashington. Prandaj, çfarëdo interpretimi tjetër i këtyre negociatave, është i gabuar”, u shpreh Hyseni.