Hyseni thotë se stërvitjet ushtarake të Serbisë pranë kufirit me Kosovën janë provokuese

Kryetari i Gjilanit Alban Hyseni, ka thënë se stërvitjet ushtarake të zhvilluara pranë kufirit me Republikën e Kosovës, në afërsi të Gjilanit, janë shqetësuese dhe provokuese për qytetarët.

Në një postim në Facebook ai ka thënë se prania e forcave ushtarake, mjeteve ajrore dhe aktiviteteve të tilla në zona të banuara krijon ndjenjë pasigurie dhe tensioni të panevojshëm, duke ndikuar drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve.

“Si Kryetar i Komunës së Gjilanit, shpreh shqetësimin tim të thellë për këto zhvillime dhe kërkoj nga institucionet përkatëse vendore dhe ndërkombëtare që të monitorojnë situatën me kujdes dhe të ndërmarrin veprime konkrete për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon”, ka shkruar Hyseni në Facebook,

Ai ka thënë se qytetarët meritojnë qetësi, siguri dhe perspektivë, jo frikë dhe presion.

Përmes një postimi në Facebook të cilin e ka shoqëruar edhe fotografi e cila tregon disa parashutistë, ai ka shkruar se demonstrimi i forcës me helikopterë dhe parashutistë në zona të banuara përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për qetësinë dhe sigurinë e qytetarëve shqiptar.

Back to top button