I akuzuari për vrasjen e Agonis Tetajt e padit trupin gjykues, kërkon 100 mijë euro dëmshpërblim

I akuzuari për vrasjen e Agonis Tetajt, Shaban Gogaj dhe babai i tij, Halit Gogaj, e kanë paditur trupin gjykues të Gjykatës së Pejës në përbërje nga gjykatësja Violeta Husaj- Rugova, dhe anëtarët Sami Sharraxhiu e Florije Zatriqi.
Kjo është bërë e ditur nga avokati i tij, Besnik Berisha.
Padia është parashtruar për kompensimin e dëmit jomaterial në vlerë prej 100 mijë euro.
“Të bindur se vendimet dhe veprimet e trupit gjykues në çështjen penale kundër z.Shaban Gogaj, që nga rihapja e shqyrtimit gjyqësor e deri më datën 25 nëntor 2021 ishin jo vetëm arbitrare, të kundërligjshme dhe kundërkushtetuese, por edhe skajshmërisht të rrezikshme për sigurinë juridike, e për të cilat gjyqtarët nuk mbrohen nga imuniteti funksional, në cilësi të përfaqësuesit të z.Gogaj dhe prindit të tij, më datën 26 nëntor 2021, pranë Gjykatës Themelore në Pejë kemi deponuar padi për kompensimin e dëmit jo material”, ka shkruar avokati Berisha.
Sipas Berishës, ky trup gjykues ka përfillur një kërkesë të kundërligjshme të Kryeprokurorit të Shtetit dhe vartësve tij, duke rihapur kështu sipas tij, në mënyrë të kundërligjshme shqyrtimin gjyqësor.
Berisha ka thënë se kjo i ka shkaktuar dëme të pariparueshme dhe vazhdojnë t’i shkaktojnë dëme z.Gogaj dhe familjes së tij./kallxo

Back to top button