I kërkoi para të burgosurit për t’ia falur dënimin, zyrtari i burgut kapet nga Policia

Policia e Kosovës ka arrestuar një të dyshuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicën e Jugut.

Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari 42 vjeçar, Sh.H dyshohet të ketë kërkuar 2500 euro për “‘faljen e një pjesës të mbetur të dënimit”.

“I dyshuari, Sh.H., (viti i lindjes 1981, mashkull kosovar), dyshohet se nga një i dënuar që ishte në vuajtje të dënimit, për t’i mundësuar të njëjtit ‘faljen e një pjesës të mbetur të dënimit’, si shpërblim i ka kërkuar 2500 euro. I dyshuari gjysmën e kësaj shume e kishte kërkuar tani dhe gjysmën tjetër ‘kur të përfundon punën”, njofton Policia.

Më tej bëhet e ditur se policia duke zbatuar masat e fshehta të hetimit, sot në parkimin e një pike të derivateve në Mitrovicë, ka ndalur një veturë dhe gjatë kontrollit (nën ulëse, në një sirtar të vogël) ka gjetur 1300 euro të cilat ishin të shënjestruara për hetimin e fshehtë.

Sipas njoftimit të policisë se i dyshuari është arrestuar, ndaj tij është iniciuar rasti ‘marrja e ryshfetit’, ai është intervistuar në prani të avokatit të tij dhe më pas, me aktvendim nga prokurori është dërguar në mbajtje deri në 48 orë

 

 

Back to top button