Policia jep detaje rreth incidentit në përkujtimin e Masakrës së Dubravës

Policia jep detaje rreth incidentit në përkujtimin e Masakrës së Dubravës

Në 20-vjetorin e masakrës që forcat serbe orkestruan ndaj të burgosurve në burgun e Dubravës, situata eskaloi kur ish-i mbijetuari i kësaj masakre, Shefqet Kabashi doli para të pranishmëve dhe iu drejtua krerëve të institucioneve se ata nuk meritojnë të jenë prezent në këtë manifestim.

Derisa moderatorja e programit mundohej ta mbajë situatën nën kontroll, ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës iu drejtua disa ish-të mbijetuarve të masakrës së Dubravës, duke i përmendur edhe me emra madje si Hajredin Kuçit dhe Nait Hasanit, të cilët sipas tij, e kanë quajtur tradhtar.

Lidhur me rastin Policia e Pejës ka bërë të ditur se Kabashi posedonte edhe armë zjari.

Në automjetin e të dyshuarit Shefqet Kabashi është gjetur një armë zjarri (pistoletë) të cilën e posedonte pa leje dhe arma është konfiskuar. Të dyshuarit janë intervistuar nga hetuesit në stacionin policor Istog.”, thuhet në komunikatën e policisë.

Tutje policia ka njoftuar se Prokurori i shtetit është informuar dhe ka udhëzuar që të hapen rastet: ‘ Mbajtje në pronësi, kontrollë, posedim i pa autorizuar i armës’ dhe ‘Prishje të Rendit dhe Qetësisë Publike’, ndërsa sipas urdhrit të prokurorit i dyshuari Sh.K. është ndalur në mbajtje për 48 orë, ndërsa 4(katër) të dyshuarit e tjerë lirohen në procedurë të rregullt.

Shefqet Kabashi ka qenë dëshmitar në Hagë në procesin kundër kryeministrit Ramush Haradinaj.

Në ceremoninë e 20 vjetorit të masakrës ka qenë në agjendë që të merr pjesë edhe Haradinaj por që vizita e tij është anuluar pa dhënë sqarime./21Media