Ibrahimi tregon sfidat: Pjesëmarrja në Lojërat Olimpike ëndërr e realizuar

 

Shenjëtari Drilon Ibrahimi do ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpike ‘Tokio 2020’. Por, për të arritur deri në këtë pikë, ai ka punuar me shumë pasion që nga fëmijëria e tij duke e kthyer ëndrrën në realitet.

Pa përkrahje financiare, por me përkushtim e pasion Ibrahimi nuk është ndalur deri në realizimin e ëndrrës së tij, përfaqësimi i Republikës së Kosovës në garat ndërkombëtare.

Në një intervistë për Kp Ibrahimi ka treguar se si ka lindur pasioni i tij për ta ushtruar këtë sport, duke thënë se ishte shtyrë shumë edhe nga rrethi i tij i gjerë për shkak se ishte treguar shumë i saktë që kur kishte shkrepur plumbat e parë.

“Pasioni im për shenjëtarinë ka qenë gjithmonë kështu duke i shikuar edhe filmat edhe si jemi merak ne filma aksion, por rastësisht ka ndodhur krejt te kyçem në shenjëtari. Kam dëgjuar që ka poligon në Viti, në qytetin tim, ka qenë viti 2004 në fillim.. edhe vendosa të shkojë ta provoj veten. Kur shkova atje e kanë parë që kam talent, kam sukses për këtë sport edhe në një far mënyrë edhe më detyruan që gjithsesi duhet të ia filloj shenjëtarisë për shkak se isha shumë i saktë qysh në ditën e parë, do të thotë plumbat e parë që i kam gjuajtur ndonjëherë në jetë.”, ka thënë Ibrahimi.

Ibrahimi më tutje ka treguar që sportin, të cilin ai ka zgjedhur ta ushtrojë është jashtëzakonisht i shtrenjtë. Sipas tij, vlera e pajisjeve që duhet t’i posedojë një shenjëtar kapin shuma të larta. Ato shkojnë deri në 5500 euro.

“Shenjëtaria dihet që është shumë sport i shtrenjtë sepse përshembull diabolla, plumbi që shkon atje më nuk kthehet dhe është shpenzim, nuk mund ta përdorësh dy herë, është shumë sport shumë i shtrenjtë. Edhe pajisjet kushtojnë bukur shtrenjtë edhe këto veshje që po i sheh. Vetëm xhaketa dhe pantallonat kushtojnë rreth 1500 euro. Përshembull një pushkë kushton 3000-4000 euro, po flas për pushkët e cilësisë më të lartë, edhe diabollat janë shumë të shtrenjta kështu që është një sport me të vërtetë i shtrenjtë.”, ka theksuar Ibrahimi.

Përkundër pasionit dhe përkushtimit që ka për shenjëtarinë, Ibrahimi ka thënë nse nuk paguhet nga askush për këtë, në përjashtim të një burse solide të cilën e merr nga Komiteti Olimpik i Kosovës.

Ndërsa, ka thënë se për sukseset e arritura në gara të ndryshme, në shumicën e rasteve nuk shpërblehen në mënyrë monetare.

“Unë pasi jam edhe bursist i Komitetit Olimpik të Kosovës edhe me anë të bursës por edhe Federata e Shenjëtarisë më mbulon edhe Komiteti Olimpik. Në një far mënyre po mundohemi të gjithë ngapak për ta arritur atë suksesin, të kompletohemi….Vetëm bursë unë marr, pagë nuk ka, për trofe ndonjëherë ndodh por jo gjithmonë, do të thotë të shpërblehemi në mënyrë monetare për çmimet që i arrijmë. “, ka deklaruar Ibrahimi.

Përkundër të gjitha këtyre sfidave nëpër të cilat ka kaluar dhe vazhdon t’i kalojë, Drilon Ibrahimi e ka arritur qëllimin e tij të madh me shumë punë dhe angazhim. Ai e ka plotësuar normën dhe do ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpike Tokio 2020, me ç’rast ka thënë se është përgatitur mjaftueshëm për ta dhënë maksimumin edhe pse atje është një konkurencë tepër e madhe.

“Vitin e fundit kam stërvitur intensivisht, jo që e kam ditur që do të marr pjesë por atë mundin që e kam bërë vetëm të kualifikohem në Lojërat Olimpike kështu që atje është një konkurencë tepër e madhe. Për atë unë do ta jap maksimumin tim që të bëjë më të mirën e mundshme e të shohim për rezultat…Në këtë muajin e fundit kemi marr një trajnerë nga Shqipëria që është e certifikuar ndërkombëtarisht. Puna e saj është vërejtur menjëherë për shkak se i kemi ngritur rezultatet. Unë për vete i kam arritur diku 15 pikë, e kam arritur me e rritë rezultatin, kështu që besoj edhe për përgatitjet për Lojëra Olimpike me siguri do ta kemi të njëjtën trajnerë por edhe ndoshta do të marrim edhe një trajner ndërkombëtar për shkak se në garën e fundit që ishim në Kroaci biseduam edhe me disa trajnerë nga Belgjika kështu që ka mundësi që edhe të marrin për të arritur rezultat sa më shumë.”, ka thënë Ibrahimi.

Në fund, Ibrahimi ka treguar edhe rrugën, nëpër të cilën ka kaluar për ta siguruar pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike.

“Janë garat e caktuara të cilat marrin pikë olimpike. Kështu që duhet ta marrësh ne i themi MQS-në, Minimum Qualifikation Score. Në atë rezultat do të thotë jam kualifikuar me ftesë, jo kualifikim direkt por për shkak që e kam arritur minimumin, pragun olimpik që e quajmë ne edhe më ka ardhur ftesa kështu që jam përzgjedhur për Lojërat Olimpike.”, ka deklaruar në fund Ibrahimi.

Lojërat Olimpike Tokio 2020 do të zhvillohen nga data 29 korrik deri më 8 gusht të këtij viti./kp

Back to top button