Simptomat, diagnostifikimi dhe trajtimi i Tuberkulozit

Tuberkulozi (TB) është një sëmundje bakteriale që shkaktohet nga Bacili i tuberkulozit dhe zakonisht prek mushkëritë. Tuberkulozi më rrallë prek pjesët tjera të trupit.
Personat me sëmundje të Tuberkulozit shpesh ndihen të dobët ose të lodhur, humbin peshë, kanë ethe dhe djersiten gjatë natës. Nëse sëmundja e TB ka prekur mushkëritë (siç ndodh më shpesh), ata gjithashtu mund të kenë kollë dhe dhimbje gjoksi, apo edhe mund të nxjerrin gjak me kollitje. Nëse kemi Tuberkuloz të unazave të shtyllës kurrizore kjo shfaqet me dhimbje kronike të shpinës, e te TB e veshkëve kemi urinim me gjak (urinë me ngjyrë të kuqe), ka shpjeguar pulmologu Dr. Besim Morina në intervistën për rtv21.tv.

Dr. Morina tutje ka shpjeguar se si përhapet Tuberkulozi.
Ai ka thënë se mikrobet e Tuberkulozit përhapen nga një person te tjetri përmes ajrit. “Ato shpërndahen në ajër në rastin kur një person me sëmundjen e tuberkulozit të mushkërive kollitet, tështin, qesh ose flet me zë të lartë. Njerëzit aty pranë mund të thithin ajrin me mikrobe të tuberkulozit dhe kështu të infektohen. Tuberkulozi NUK përhapet duke përdorur enët ose gotat, ose duke e prekur një njëri të infektuar. Më të rrezikuar janë personat në afërsi të personit të infektuar, sidomos ata me imunitet te ulur”.
Tutje, Dr. Morina ka folur për llojet e Tuberkulozit, që janë Tuberkulozi latent apo joaktiv dhe Tuberkulozi aktiv.
“Sëmundja e tuberkulozit (Tuberkulozi aktiv) nuk zhvillohet te të gjithë të infektuarit me mikrobet e tuberkulozit. Personat që janë të infektuar, por nuk janë të sëmurë, janë persona me infeksion latent i tuberkulozit. Njerëzit me infeksion latent të TB-së kanë mikrobe të TB-së në trupin e tyre, por ata nuk kanë simptoma apo shenja të sëmundjes sepse mikrobet qëndrojnë të fjetura në trupin e tyre. Ata nuk mund t’i infektojnë të tjerët. Megjithatë, këta persona pas një kohe mund të zhvillojnë sëmundjen e Tuberkulozit. Për të parandaluar zhvillimin e sëmundjes së TB-së, njerëzit me infeksion latent të TB-së duhet të trajtohen me barna.
Njerëzit të infektuar dhe të cilët kanë simptoma të sëmundjes kanë Sëmundje aktive të Tuberkulozit (Tuberkulozit aktiv). Te ata sëmundja zhvillohet për shkak të numrit të madh të mikrobeve të tuberkulozit që janë aktive në trupin e tyre. Personat me sëmundje të TB mund të përhapin mikrobet e tuberkulozit te të tjerët”.

A mund të infektohemi me bakterin që e shkakton Tuberkulozin, por në të vërtetë të mos kemi Tuberkuloz aktiv?
Po. Nëse në shumicën e rasteve personat e infektuar nuk e zhvillojnë semundjen, mirëpo infeksioni te ata vazhdon me vite dhe me rënien e imunitetit, mund të zhvillohet Tuberkulozi aktiv.
A ka mundësi që të zhvillojmë Tuberkuloz aktiv e të mos e dimë?
Zakonisht personat me Sëmundjen e tuberkulozit kanë simptoma të cilat i shtyejnë të paraqitet te mjeku, por ndodh që vendosja e diagnozës të jetë e vështirë, apo të mendohet gabimisht në një problem tjetër që e shkakton kollën apo simptomat tjera të ngjashme me Tuberkulozin.

Në intervistën për rtv21.tv, pulmologu Besim Morina ka treguar se si diagnostikohet Tuberkulozi.
“Në rast të dyshimit për infeksion me Tuberkuloz, duhet të bëhet një test të lëkurës për tuberkulozin (PPD testi) ose një test me gjak për tuberkulozin (Quantiferon TB Gold). Për testin e lëkurës për TB, përdoret një gjilpërë të vogël me të cilën injektohet tuberkulina nën lëkurë. Ndërsa për analizën e gjakut, duhet të merret një mostër e gjakut nga vena. Nëse testi rezulton negativ zakonisht do të thotë që ju nuk jeni të infektuar me mikrobet e tuberkulozit. Megjithatë, testi mund të jetë rrejshëm negativ nëse sistemi juaj imunitar nuk funksionon siç duhet ose nëse jeni infektuar pak kohë para testimit. Nëse testi del pozitiv, zakonisht tregon që ju jeni infektuar me mikrobet e tuberkulozit. Kjo nuk do të thotë që ju keni sëmundje aktive të TB. Për ta konstatuar sëmundjen aktive të Tuberkulozit duhet te bëhen teste të tjera, si një radiografi e gjoksit ose një analizë e pështymës (gëlbazës), ashtu që merret gëlbaza dhe analizohet nëse ka mikrobe të Tuberkulozit apo pjesë të tyre”, ka shpjeguar Dr. Morina.
Tutje, Dr.Morina ka folur për trajtimin e Tuberkulozit, dhe për medikamente që përdoren.
“Si sëmundja e tuberkulozit ashtu edhe infeksioni latent i tuberkulozit, duhet të trajtohen me barna. Në të dy rastet përdoren barna në formë tabletash të quajtura Atituberkularë. Por në rastin e infeksioni përdoren vetëm dy sosh për një periudhë më të shkurtë, ndërsa te sëmundja active e tuberkulozit merren zakonisht katër lloje të këtyre barnave për një periudhe më të gjatë (së paku 4 muaj). Nëse NUK trajtohet, një person me sëmundje të TB mund të ketë probleme serioze shëndetësore dhe të vdesë”, ka bërë të ditur pulmologu.
Dr.Morina ka folur edhe për vaksinën e Tuberkulozit dhe efektin e saj.
Ai ka thënë se vaksina nuk është mjaft efektive në mbrojtjen e të rriturve kundër Tuberkulozit.
“Tuberkulozi e posedon një vaksinë. BCG është një vaksinë të cilën e marrim pas lindjes. Mirëpo, vaksina BCG nuk është mjaft efektive në mbrojtjen e të rriturve kundër Tuberkulozit. Ne ende mund të infektohemi me TB dhe të zhvillojmë sëmundjen e Tuberkulozit përkundër asaj që jemi vaksinuar me BCG”, ka shpjeguar pulmologu./21Media
https://www.facebook.com/dr.besimmorina

Back to top button