Hoxhaj: Krerët opozitarë do të duhej ta pyesnin Kurtin “Çka mund të bëjmë për ty?”

(lajm i përditësuar)


Hoxhaj: Krerët opozitarë do të duhej ta pyesnin Kurtin “Çka mund të bëjmë për ty?”

Hoxhaj ka thënë se po t’i kishin votat në Kuvend, që nesër do të inicionin mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti.

“Po t’i kishim votat, ne nesër e rrëzojmë në Kuvend. Po t’i kishim votat, ne opozita, jo 40 deputetë por 55, ne do ta rrëzonim Albin Kurtin nesër, në Kuvend të Kosovës, pa asnjë problem, por nuk i kemi votat”, tha Hoxhaj.

Megjithatë, Hoxhaj tha se para mocionit të mosbesimit, krerët opozitarë do të duhej t’i shkonin në zyrë Kurtit dhe ta pyesnin se si mund ta ndihmojnë.

“Para se me ardhë tek mocioni i mosbesimit, ne do të duhej si opozitë, pra Krasniqi, Abdixhiku e Haradinaj, që të shkojmë në zyrë te Albin Kurti dhe ta pyesim ‘Çka mund të bëjmë për ty?’“, deklaroi Hoxhaj.

“A do të duhej në Kosovën  e vitit 2023 një njeri ta determinojë raportin tonë me botën? Dhe ne jemi në një situatë kur jo një parti politike, jo një Qeveri, por një njeri thotë ‘Po’ dhe thotë ‘Jo’”, përfundoi ai.


Hoxhaj: Po të isha në vendin e Kurtit, Asociacionin do ua gjuaja në tavolinë brenda muajit amerikanëve dhe evropianëve pa frikë

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se marrëveshja e Ohrit, dalë nga plani franko-gjerman, ka krijuar boshllëk, pasi nuk ka njohje të ndërsjellë, marrëveshje obligative ligjore apo plan të zbatimit.

“Unë kam frikën që nëse Kurti nuk del me një plan për veriun gjatë verës, nëse nuk bën përpjekje për këtë boshllëkun e krijuar – sepse marrëveshja e Ohrit dhe plani franko-gjerman kanë krijuar boshllëk – nuk është njohja e ndërsjellët, nuk është marrëveshje obligative ligjore, nuk ka një plan të zbatimit, plan më të keq të zbatimit unë nuk kam parë në histori të negocimit në këto 20 vitet e fundit sesa këtë që e kanë ofruar Borrelli dhe Lajçaku në Ohër, por i ka thënë ‘Po’ zoti Kurti dhe tash po ka problem me të”, tha Hoxha në Click të RTV21.

Tutje ish-ministri i Jashtëm tha se po të ishte në vend të kryeministrit Albin Kurti, planin për Asociacionin do ta bënte brenda muajit dhe të njëjtin do ia dorëzonte përfaqësuesve amerikanë dhe evropianë.

“Po të isha unë në Qeveri, në pozitën e zotit Kurti, unë do ta bëja ekipin për ta draftuar Asociacionin brenda muajit, do ua gjuaja në tavolinë amerikanëve dhe evropianëve në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me letrën e Mogerinit, pa kompetenca ekzekutive, pa frikë, do të dalë para qytetarëve t’u them ‘në mënyrën qysh bëhet politika në një vend demokratik, detyra ime si kryeministër është ta balancoj atë që është e drejtë brenda, me atë që është e mundshme jashtë, dhe meqë unë e kam balancuar në këtë formë, nëse ju doni të shkoni përpara, kjo është rruga që unë e shoh si duhet vendi të ecë përpara – nëse ju mendoni se duhet të vjen dikush tjetër që ta bëj një gjë të tillë, le të vjen dikush tjetër ta bëj një gjë të tillë’”, deklaroi Hoxhaj. /21Media

Back to top button