Izraeli njoftoi për ashpërsimin e masave kundër përhapjes së koronavirusit të ri, përfshirë mbylljen e shumë bizneseve, gjatë fundjavës.

Qeveria njoftoi për kufizimet, pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se “masat e përkohshme” ishin të nevojshme, për të shmangur një izolim tjetër të përgjithshëm.

Netanyahu është përballur me kritika dhe protesta të gjera ditët e fundit, lidhur me trajtimin e pandemisë nga ana e qeverisë së tij, dhe pasojat ekonomike nga një izolim i mëparshëm.

Kufizimet e reja parashohin mbylljen gjatë fundjavave të dyqaneve, qendrave tregtare, salloneve të bukurisë dhe vendeve turistike.

Fundjava izraelite është të premten dhe të shtunën.

Izraeli kryesisht kishte parandaluar shpërthimin e epidemisë, pas vendosjes së masave të ashpra të izolimit që zgjatën dy muaj.

Por, rastet e reja me koronavirusin e ri, janë rritur që kur janë hequr kufizimet.