Instituti i Kosovës për Drejtës (IKD) kërkon nga Mandatari për Kryeministër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, që të ofron persona me integritet për kabinetin qeverisës, i cili pritet të dal në votim në Kuvendin e Kosovës, nesër.

Përmes një komunikate të dërguar për media thuhet se arsyeja e këtij reagimi ka të bëjë me përfoljen në publik të propozimeve që janë bërë nga partitë politike lidhur me emrat që do të përfshihen potencialisht në Kabinetin Hoti, të cilët kanë probleme me ligjin, janë të dënuar apo janë duke u përballur me aktakuza për vepra të ndryshme penale.

‘’Për IKD është e papranueshme që cilindo kabinet qeverisës të ketë persona, të cilët kanë probleme me ligjin, prandaj në këtë drejtim i bën thirrje publike edhe mandatarit Hoti që ta respektojë këtë kërkesë për të krijuar kabinet me persona me integritet. Kjo kërkesë e IKD-së ka të bëjë me procesin e gjatë të avokimit për të dekriminalizuar skenën politike, e cila nevojë është potencuar shpesherë nga liderët politik dhe institucional, përfaqësuesit e shoqërisë civile, komuniteti ndërkombëtar dhe të tjerë’’ thuhet në njoftimin e tyre.

Sipas tyre, sidoqoftë, që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, Kosova është ballafaquar me një qeverisje qoftë në nivelin qendror, lokal apo atë të administratës shtetërore me individë që kanë pasur problem me ligjin, që kanë ndikuar në mungesë besimi, kredibiliteti dhe integriteti qoftë në raport me qytetarët ashtu edhe me faktorin ndërkombëtar.

IKD thotë se Qeverisja në një shtet demokratik duhet të garantojë dhe siguroj besimin e publikut në funksionimin e organeve të zgjedhura, institucioneve të pavarura, administratës shtetërore dhe atyre të krijuara me ligj, duke ofruar në qeverisje persona të cilët nuk kanë probleme me ligjin, rrjedhimisht nuk janë të dënuar apo të akuzuar.

Në fund bëhet e ditur se IKD avokon që të iniciohet rregullimi i fushës së dekriminalizimit të politikës në Kosovës, për të cilin proces IKD-ja shpreh gatishmërinë që të ofrojë ekspertizën e saj, për të ndihmuar në hartimin e rregullave qoftë në aspektin legjislativ qoftë në rrafshin etik me qëllimin e vetëm që bashkërisht të ofrohet një standard i ri i qeverisjes së mirë në Republikën e Kosovës. /21Media