David Bowie, emri i vërtetë i të cilit është David Robert Jones, u lind me datën 8 janar, të vitit 1947, në Londër. Në çdo angazhim, ai arriti të kapë majat, thjesht suksesi ishte shtëpia e tij. Gjatë epokës së famshme të modës në vitet e 60-ta, ai u gjet përballë bendeve të ndryshme, duke u munduar të dalë në dritë nga hija e tyre, kështu ai edhe riemëroi veten nga David Jones, në David Bowie, për të shmangur ngatërrimin me këngëtarin e grupit The Monkees.

“Space Oddity”, një single fantastiko-shkencor, ishte kënga që shënoi fillimin e vërtetë të karrierës së tij, duke arritur në top 10-shin britanik, të këngëve më të dëgjuara, në vitin 1969.

Pas këtij suksesi ai vazhdoi të sjellë edhe më shumë muzikë për fansat e tij tashmë të shumtë nëpër botë. Gjatë kësaj kohe lansoi albume shumë të suksesshme si: “Low”,  “Diamond Dogs”, “Hunky Dory”, “The Rise and Fall of Ziggy Stardust and Spiders from Mars” dhe “Young Americans”.

Albumi  i tij i fundit “Blackstar”, i realizuar në  vitin 2016, u publikua dy ditë para vdekjes së tij. Në vitet e fundit, Bowie, realizoi edhe muzikën ‘Lazarus’, e cila u dha premierë në vitin 2015, për realizimin e së cilës, këngëtari ishte frymëzuar nga filmi “Njeriu që ra në Tokë”, ku Bowie vetë kishte qenë pjesë e kastës së aktorëve.

Ikona e muzikës, David Bowie, ndërroi jetë më 10 Janar, të vitit 2016, dy ditë pas ditëlindjes së tij të 69-të. Bowie u përfshi në Rock and Roll Hall of Fame, në vitin 1996, kurse pas tij ka lënë një trashëgimi muzikore mbresëlënëse, e cila përfshin 26 albume.