IKShPK: Ju lutemi bartni maskat në çdo vend dhe vaksinohuni!

 
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës(IKShPK) apelon qytetarët të bartin maska në çdo vend dhe të vaksinohen, pasi këto janë mundësitë e vetme për të parandaluar përkeqësimin e situatës epidemiologjike.
Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, IKShPK ka bërë thirrje në veçanti për kujdes dhe mosgrumbullim. Ndërsa, rekomandojnë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë.
“Është i domosdoshëm kujdesi i shtuar i të gjithëve që në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit të COVID-19.
Omicron është tejet ngjitës, andaj mbani maskat në çdo vend, mbani distancën mbi dy metra edhe në mjedise të hapura edhe po qe se të gjithë bartin maska!”, thuhet ndër të tjera në apelin e IKShPK-së.

Ministria e Shëndetësisë sot ka njoftuar se këtë të shtunë janë regjistruar edhe 3 mijë e 206 raste të reja me Covid-19 në Kosovë. Rastet e reja kanë dalur pas testimit të 11 mijë e 884 mostrave. Gjatë 24-orëve të fundit nuk është raportuar asnjë rast i vdekjes.
Për shkak të rritjes së numrit të rasteve pozitive me COVID-19, Qeveria e Kosovës të premten mori vendim për masat e reja antiCOVID-19. Masa nga sot kanë hyrë në fuqi e që do të jenë në fuqi deri më 4 shkurt./21Media

Back to top button