IKSHPK: Mos hani ushqim kudo, kujdes nga helmimi

 

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes nga helmimi me ushqim.

Sipas këtij Instituti ka pasur qytetarë që kanë kërkuar ndihmë mjekësore pasi që janë helmuar

“Gjatë këtij sezoni janë regjistruar helmime me ushqim! Kujdes gjatë gatimit, Ruajtjes dhe shpërndarjes së ushqimit! Qytetarë të pafajshëm për shkak të konsumimit të ushqimit të kontaminuar kanë përfunduar në spital të cilët falë përkujdesjes së ekipit të mjekëve janë jashtë rrezikut për jetë.”, thuhet në njoftim.

Po ashtu IKSHPK u bën apel qytetarëve që  të kenë kujdes se çfarë ushqimi konsumojnë.

“Shmangia e konsumimit të mishit dhe peshkut, suxhukut dhe produkteve të ngjashme të papërpunuara termikisht!Shmangia e konsumimit të ushqimit që përmban vezë të freskëta, si majoneza, soset e ndryshme, etj.Shmangia e konsumimit të djathit të freskët nga qumështi jo i pasterizuar ose zier!Shmangia e konsumimit të frutave dhe perimeve të palara. Nuk preferohet konsumimi i ushqimit që ka qëndruar jashtë frigoriferit për më shumë se 2 orë. Konsumimi i qumështit të pasterizuar ose të zier. Frutat dhe perimet të lahen me ujë të bollshëm. Ruajtja e ushqimit të mbetur në frigorifer. Ushqimi i ngrirë i cili është shkrirë duhet të konsumohet sa më shpejt ose të hidhet, nuk duhet të ringrihet!”, thotë IKSHPK.

Ndërsa faktor tjetër kyç për mbrojtje nga helmimi mbetet edhe higjena.

“Duart duhet të lahen:
-para se të filloni të përgatisni ushqimin
-pasi të prekni mishin e freskët, peshkun, vezët ose perimet
-pas përdorimit të tualetit
-pasi të pastroni hundën
pasi të prekni një kafshë
-pasi të prekni ndonjë plagë apo prerje në trup.

MOS HANI USHQIM KUDO! PAKUJDESIA SHKAKTON EPIDEMI ME RREZIK PËR JETÊN E QYTETARËVE!”, porosit Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike./21Media

Back to top button