Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se që kur ka filluar lehtësimi i masave për disa aktivitete, kanë gjurmuar raste të reja të COVID-19 duke u shtuar rreziku të shpërthejnë vatra të reja epidemike në disa komuna të Kosovës e në veçanti në Komunën e Prishtinës, Vushtrrisë, Prizrenit dhe Fushë Kosovës nga mosmbajtja e distancës dhe mosmbajtja e maskave.

Instituti nëpërmejt një komunikate ka apeluar qytetarët, bizneset dhe gastronominë, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimi i maskave, dezinfektimi dhe ajrosja e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura.

IKSHPK dhe Ministria e Shëndetësisë rekomandojnë që në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse të deritashme e në veçanti zbatimi i planit për masat lehtësuese që nënkupton vazhdimin e zbatimit të mëtutjeshëm të rekomandimeve.

Inspektoratet sanitare të AUV dhe Inspektoratet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe të merren masa përgjegjësie në rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar. Çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve”, thuhet në komunikatë.

Sot në Kosovë janë regjistruar 11 raste të reja me koronavirus.