Mbrëmë u regjistruan 178 raste të reja me koronavirus në Kosovë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të prekurve në 3 mijë e 356. Vetëm dje u regjistruan 8 viktima, duke e çuar numrin e të vdekurve nga koronavirusi në 66, kurse u shëruan edhe 50 persona, derisa numri i përgjitshëm i të shëruarve ka shkuar në 1 mijë e 874. Raste aktive me koronavirus në Kosovë janë 1 mijë e 416.

Pas numrit të madh të rasteve, Instituti i Shëndetit Publik i Kosovës edhe njëherë ju ka bërë thirrje qytetarëve të respektojnë rekomandimet e dhëna.

“Apelojmë te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura.

Ne po shkojmë drejt një normaliteti të ri. Ky normalitet i ri paraqet ndërrimin e sjelljeve tona për të mirë, për të mbajtur higjienën, për të mbajtur distancën, për të mbajtur maskën, për të mos përhapur piklat tona të cilat i qesim nga goja çdo ditë, dikush më shumë e dikush më pak, e që rrezikojnë shëndetin e të tjerëve, por në radhë të parë shëndetin e të afërmve, të familjes, të fëmijëve, të farefisit, të komunitetit, dhe pastaj të gjithë qytetarëve.

Inspektoratet sanitare të AUV dhe Inspektoratet komunale bashkë me shtabet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse duke u mbështetur në Manualin për luftimin e COVID-19 dhe të merren masa përgjegjësie në çdo rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar.”, thuhet mes tjerash në thirrjen e IKSHPK-së./21Media