Me dedikim për dy figurat e ndritura të teatrit e televizionit, Leze Qena e Besim Sahatçiu, sot u promovuan dy pulla postare nga Posta e Kosovës, të punuara në bronz.

Kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Xhevdet Smakiqi, organizoi promovimin e këtyre dy pullave.

Po ashtu, u pritën edhe familjarët e të dyja palëve, familjes Qena dhe Sahatçiu, ndër të tjerë, të pranishëm ishin edhe dashamirë të artit, miq e kolegë të të ndjerëve.

Gjatë një fjalimi të mbajtur nga kryeshefi Smakiqi, ai tha se “ Besim Sahatçiu dhe Leze Qena, i mungojnë skenës, televizionit, kinemasë dhe tërë popullit shqiptar, por, veprat e tyre janë kudo në mesin tonë. Dy pulla postare që po i promovojmë, me imazhin e Besimit dhe Lezës, nga sot udhëtojnë në tërë Kosovën, në tërë trojet shqiptare dhe në tërë botën përmes komunikimit postar”.

I biri i Besim Sahatçiut, Besnik Sahatçiu me theks të veçantë falënderoi Postën e Kosovës për pullën postare.

Edhe Argjenda, e bija e Leze Qenës, u shpreh falënderuese për këtë dedikim të veçantë, në një vjetorin e vdekjes së nënës së saj, artistës së madhe, Leze Qena.

Të bashkangjitura në këtë event të mbajtur në kujtim të dy artistëvë të mëdhenj, përmes një videoprojekti, u paraqiten disa pamje nga paraqitjet e tyre televizive dhe në skenen teatrale.

Në një videoincizim, foli edhe këngëtarja e mirënjohur shqiptare me famë botërore Rita Ora, njëherit mbesa e të ndjerit Besim Sahatçiu, e cila përshëndeti dhe falënderoi Postën e Kosovës për pullën postare, që ishte dedikim për gjyshin e saj.

Smakiqi në shenjë respekti, ia dërgoi Ritës në kartolinë, imazhet e para të të dyja pullave postare.

Kujtojmë se regjisori Besim Sahatçiu, u lind në vitin 1935 në Pejë, mbaroi studimet në Akademinë e Filmit në Zagreb, për regji. Disa nga veprat e tij të realizuara ishin kryesisht filma të metrazhit të gjatë, si “ Era dhe Lisi”, “Përroi vërshues”, filma dokumentar të metrazhit të shkurtër, “Bukë e krip e zemër”, “117” po ashtu, edhe dhjetëra shfaqja teatrale e televizive. Roli i tij në krijimtarinë, kultivimin dhe afirmimin e artit skenik, kinematografik, të kulturës sonë në përgjithësi, ka qenë dhe mbetet i pazëvendësueshëm. Ai vdiq në vitin 2005.

Aktorja e madhe, Leze Qena u lind më 1 mars 1935 në Prizren, e cila mbaroi studimet për aktrim në Prishtinë, ndërsa shfaqjet më të njohura teatrale të saj janë: “E shoqja e Hasan Agës”, “Kushëriri prej Amerike”, “Familja e pikëlluar”, “Nuk martohem me pare”, “Tartufi”, “Autobiografia”, “Duart e papastra”, “Othello”, “Antigona”, Borëbardha dhe shtatë shkurtabiqët”, “Kur është gruaja memece”, “Hanka”, “Pjata e drunjtë”, “Miu në xhep”, në komedinë “Fjala është për banesën”, si dhe projektet e pasluftës si, “Familja Moderne”, Kombinati, “Çka ka shpija” dhe të tjera. Ajo vdiq më 25 mars 2020./21Media