Kaloni te përmbajtja kryesore

Importet sfidojnë prodhuesit vendorë, rritet importi i mallrave nga Serbia

Qytetarët në Kosovë aktualisht janë duke u përballur me inflacion prej 6.8% njëherësh më i larti në rajon dhe Evropë. Agjencia e Statistikave tha se në këtë rritje të inflacionit më së shumti kanë ndikuar shpenzimet për banimin përfshirë energjinë elektrike e cila pati një rritje prej 13.2%. Në këtë situatë jeta për qytetarët në Kosovë sa shkon e rëndohet.

Disa mendime të qytetarëve të dhëna për RTV21.

“Tepër e ranë. Nuk e di unë qysh ja boj korent borxh 500 euro une nuk e di qysh i paguj. Nuk e di ka ja mbajë. E kom pensionin por edhe dal mbledhi lemenka tepër jeta e vështirë”

”Jeta tepër e vështirë. Por faj ka populli që po mashtrohen me lëmosh”

“Mirë do të ishte të kishim çmime më të lira”.

Por, përveç inflacionit, Kosova ka statistika negative edhe në aspektin e tregtisë së jashtme. Raftet e tregjeve në Kosovë vazhdojnë të mbushen me produkte të huaja, ndërsa prodhimi vendor vazhdon të mbetët nën hije.

Sipas të dhënave të Odës Ekonomike të Kosovës, Kosova në vitin 2025 bleu produkte të huaja në vlerë prej 7 miliardë eurosh, shifër kjo më e larta në histori të Kosovës ndërsa ka eksportuar vetëm 942 milionë e 100 mijë euro. Ndërkohë të dhëna negative në këtë aspekt kanë vazhduar edhe këtë vit. Statistikat e tre muajve të publikuara në faqen e Agjencisë flasin për një trend në rritje të importit.

Kosova në janar 2026 importoi mallra në vlerë prej 414 milion eurove ndërsa eksportoi 60.2 milionë euro. Në mars importoi 651.8 milionë euro ndërsa eksportoi 88.4 milionë euro. Ndërkohë në muajin maj, Kosova importoi mallra në vlerë prej 638.6 milionë euro ndërsa eksportoi 94.1 milionë euro. Në Agjencinë e Statistikave mungojnë të dhënat për muajin shkurt, prill dhe qershor. Në këtë situatë njohësi i çështjeve të ekonomisë, Adem Qorolli vë theksin tek veprimet e institucioneve kundrejt prodhuesit vendor.

Ndërkohë të dhënat zyrtare të Doganës së Kosovës flasin për një rritje të importit të mallrave nga Serbia. Në gjysmëvjetorin e parë të vitit 2026, Kosova importoi mallra nga Serbia në vlerë prej mbi 112 milionë euro.

Një pjesë e konsiderueshme e importeve nga Serbia ka të bëjë me produkte ushqimore dhe lëndë të para. Gjatë vitit të kaluar, ndër produktet me vlerën më të lartë që erdhën nga Serbia ishte edhe gruri “jo durum”, importi i të cilit sipas statistikave doganore arriti në rreth 11 milionë euro.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button