Indonezia ndalon shurupin pas vdekjes së 99 fëmijëve

Vdekja e gati 100 fëmijëve në Indonezi bëri që vendi të pezullojë shitjet e të gjitha shurupëve dhe ilaçeve të lëngshme. Vendimi erdhi vetëm disa javë pasi një shurup i kollës në Gambia u lidh me vdekjen e gati 70 fëmijëve.

Indonezia njoftoi se disa shurupë u zbuluan se përmbajnë përbërës të lidhur me dëmtimet akute të veshkave (AKI), të cilat kanë mbytur 99 fëmijë këtë vit. Nuk është e qartë nëse ilaçi ishte i importuar apo i prodhuar në vend.

Të enjten, zyrtarët shëndetësorë indonezianë thanë se kishin raportuar rreth 200 raste të AKI te fëmijët, shumica e të cilëve ishin të moshës nën pesë vjeç.

Në fillim të këtij muaji, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) lëshoi ​​një alarm global mbi katër shurupe të kollës që ishin të lidhura me vdekjen e pothuajse 70 fëmijëve në Gambia.

OBSH zbuloi se shurupet e përdorura atje – të prodhuara nga një kompani farmaceutike indiane – përmbanin “sasi të papranueshme” të dietilen glikolit dhe etilen glikolit. Shurupet kanë qenë “të lidhura potencialisht me lëndime akute të veshkave”, tha organizata.

Ministri i Shëndetësisë i Indonezisë të enjten tha se të njëjtat përbërje kimike u gjetën edhe në disa ilaçe të përdorura në vend.

“Disa shurupe që janë përdorur nga pacientët fëmijë nën pesë vjeç AKI janë vërtetuar se përmbajnë etilen glikol dhe dietilen glikol që nuk supozohej të ishin aty, ose në sasi shumë të vogël,” tha Budi Gunadi Sadikin.

Megjithatë, ai nuk bëri të ditur se sa raste kanë të bëjnë me ilaçet toksike.

Autoritetet indoneziane thanë se shurupet e kollës të përdorura në Gambia nuk shiteshin në vend.

Një epidemiolog tha se numri i vërtetë i vdekjeve mund të jetë edhe më i lartë se sa raportohet.

“Kur raste si këto ndodhin, [ajo që ne dimë është] maja e ajsbergut, që do të thotë se mund të ketë shumë më tepër viktima”, tha Dicky Budiman, një epidemiolog nga Universiteti Griffith për BBC Indonesia.

Autoritetet indoneziane deri më tani nuk kanë zbuluar markat ose llojet e shurupit që lidhen me fëmijët e sëmurë./21Media

Back to top button